Krishtlindjet, Begaj takon Imzot Arjan Dodaj dhe Kryepeshkopin Anastas Janullatos

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2022, 14:07 | Aktualitet

Presidenti i Republikës Bajram Begaj është takuar këtë të diel të Krishtlindjeve me Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv të Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit si dhe me Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Siç bëhet e ditur, Begaj përcolli te dy liderët fetarë urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët katolikë.

Gjatë takimit, kreu i shtetit riktheu në vëmendje takimin me Papa Françeskun,  disa ditë më parë në Vatikan.

“Papa Françesku është një mik i madh i shqiptarëve ndaj i përcolla ftesën për të vizituar sërish Tiranën. Mesazhet e tij për një botë në paqe ku të gjithë duhet të jemi më solidar, padyshim kanë rezonancë kudo në botë, ashtu sikundër edhe në Shqipëri. Thirrja  e djeshme, ku Ati i Shenjtë kërkoi nga njerëzit që të bëjnë diçka të mirë për të risjellë shpresën, mendoj se vjen e fortë për të gjithë besimtarët e krishterë dhe jo vetëm,” tha Presidenti gjatë takimit me Imzot Dodajn.

Po ashtu, Begaj përfitoi nga rasti për të uruar Kryepeshkopin Janullatos që një muaj më parë celebroi 50 vjet si kryepeshkop, duke e falënderuar për kontributin që Fortlumturia e Tij dhe Kisha Ortodokse kanë dhënë për Shqipërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos