
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, nuk u prit mirë nga deputetët e Komisionit të Ligjeve, ku Naureda Llagami po raportonte për punën 1-vjeçare të qeverisë së gjyqësorit.
Deputetët që hartuan reformën në drejtësi, por dhe të tjerë që iu bashkëngjiten mazhorancës pas miratimit të saj, ishin mjaft kritikë ndaj vonesave të KLGJ. Kryesisht në plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe si rrjedhojë atë kushtetuese.
Naureda Llagami u ankua për mungesën e interesit për t’u bërë pjesë e gjykatave, të lëna bosh nga vetting-u.
Por edhe pse nuk u dhanë emra deputetët lanë të kuptohej se dikush po lobonte dhe po ndikonte politikisht në emrat e kandidaturave për në Gjykatë të Lartë.
Më të kënaqur deputetët ishin me punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilin e përgëzuan për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe vënien në funksion të SPAK.
Çfarë kërkuan nga kryetari Gent Ibrahimi, ishte zgjedhja e drejtuesve të rinj të prokurorive me mandat sipas ligjit, për të hequr dorë nga praktika e komandimit. (A2 Televizion)