Kriza në Kosovë, deputetja Pacolli: S’mund të ndalojmë protestat, rrezik edhe për rajonin

Nga A2 CNN
24 Prill 2020, 14:31 | Kosova
Kriza në Kosovë, deputetja Pacolli: S’mund të ndalojmë

Kosova është shteti i vetëm në Evropë, ku politika vijon të jetë aktive deri në intensitet, madje tensionet çuan deri në rrëzimin e qeverisë e sot po luftohet për ndërtimin e një qeverie të dytë të mandatuar.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, foli në A2 për zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se një situatë e tillë mund të çojë deri në protesta në mes të pandemisë dhe kjo do të ishte mjaft e rrezikshme.

“Asnjëherë nuk kemi pasur një zemërim kaq të madh te popullata e Kosovës. Më 6 tetor, ne kishim një vullnet qytetar për ndryshimin e situatës në Kosovës dhe LDK-ja garoi me sloganin “Beso”, por nuk po e tregojnë se kanë ndryshuar nga më herët. Pavarësisht që ne mund t’u kërkojmë qytetarëve të qëndrojnë në përputhje me rregullat dhe kriteret që ka vendosur Institucioni i Shëndetësisë. Qytetarët janë të organizuar dhe po presin. Përkrahja po rritet çdo ditë. Ne nuk mund ta ndalojmë një protestë qytetare, nëse vendoset në kundërshtim me vullnetin e tyre. Kjo duhet të jetë parasysh nga presidenti dhe LDK-ja, të mos luajnë me vullnetin e qytetarëve, pasi mund t’i kushtojë shumë Kosovës dhe rajonit”, u shpreh deputetja e VV.

Tentativat për krijimin e qeverisë së re janë vlerësuar si jo demokratike nga deputetja Pacolli. “Ne po presim. Mënyra që ka vepruar LDK është një formë jo demokratike. Kjo nuk është duke u përkrahur edhe nga qytetarët. Ne po presim të marrim dekretin e Thaçit dhe më pas do të marrim masat përmes procedurës, duke e çuar atë në Kushtetuese. Kjo është një procedurë jo demokratike, antikushtetuese dhe krijon precendentë tepër të rrezikshëm dhe jo demokratik.

Ne tani kemi pandeminë dhe ky është prioriteti ynë. Ne jemi të angazhuar të punojmë për këtë situatë, ajo që po ndodh është një lojë politike dhe jo legjitime. Ata deputetë që janë në Kuvend që do të përkrahin propozimin, i bie që po shkelin mbi vullnetin e popullit të Kosovës. Nëse duhet të kthehemi mbrapa, i bie të shkojmë në zgjedhje të reja. Vendi ka nevojë për zgjedhje të reja, ne do të punojmë që vendin ta çojmë në zgjedhje të reja, pas tejkalimit të kësaj situate të vështirë nga pandemia”, tha Pacolli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos