Kriza në Veri, Borrell: Po organizojmë një takim urgjent Kosovë-Serbi

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 15:20 | Kosova
Kriza në Veri, Borrell: Po organizojmë një takim urgjent

Një takim për menaxhim të krizës, e jo për normalizim të raporteve. Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme në BE, Jozep Borrell u kujdes të theksonte diçka të tillë, teksa njoftoi përpjekjet për organizimin e një takimi urgjent mes përfaqësueseve të Kosovës dhe Serbisë, në përpjekjen për të zbutur tensionet.

“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën e përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel.”

Burime diplomatike në Bruksel, thonë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet po bëhen për një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit, Aleksander Vuçiç. 

Sipas masave që BE-ja ka ndërmarrë ndaj Kosovës – për shkak të mosveprimit për ulje të tensioneve, takimet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe BE-së, do të fokusohen vetëm në qetësimin e situatës në Veri.

Përballë kritikave të kryeministrit Kurti për mosreagim ndaj arrestimit të 3 pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, Borrell theksoi se po përpiqeshin të kuptonin atë që kishte ndodhur.

Sakaq, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha në një reagim mbrëmjen e së enjtes, se nuk ka qenë në zonën ku ka ndodhur arrestimi i 3 zyrtarëve policore.

KFOR ka dërguar një ekip në zonë dhe është në kontakt me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, autoritetet e Serbisë dhe Eulex. Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë”.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës.

Kryeministri Kurti deklaroi ditën e enjte se nuk e kuptonte mosreagimin e KFOR-it ndaj sulmit, që sipas tij, kishte mandate ta parandalonte në kufirin me Serbinë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos