Kriza President-mazhorancë, Reforma Zgjedhore dhe paketa anti-KÇK. Intervista e plotë e Isabel Santos për A2

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2020, 10:45 | Politikë
Kriza President-mazhorancë, Reforma Zgjedhore dhe paketa anti-KÇK.

A2: Faleminderit për intervistën. Jeni njohur me krizën politike në Shqipëri, krizë jo vetëm mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe midis Presidencës dhe mazhorancës. Keni një koment mbi konfliktin për plotësimin e vendeve për Gjykatën Kushtetuese?

Isabel Santos: Faleminderit për ftesën dhe për intervistën. Është vizita ime e parë në këtë pozicion që kam në vendin tuaj dhe është një mënyrë e mirë për të folur me njerëzit këtu. Unë do të vazhdoj dhe në vitet në vijim ta ndjek situatën nga afër. Kur arrita në Shqipëri të mërkurën, ajo që pashë këtu ishte pak e çuditshme. Por, shqetësimi dhe fokusi im është anëtarësimi. Ajo që ndodhi në Konferencën e Donatorëve ishte shumë besim nga shtete të BE-së apo dhe të tjera nëpër botë. Ata thanë se besonin te Shqipëria dhe donin ta ndihmonin të ngrinte krye pas tërmetit. Pra, për mua ishte surprizë situata këtu, pas gjithë atij solidariteti për tërmetin, nevojës për rindërtim, kapërcimit të shokut. Ndoshta, njerëzit këtu nuk e kanë nocionin se sa i rëndësishëm është ky moment për vendin. Po diskutojmë për anëtarësim dhe të kesh gjithë këtë zhurmë, është diçka jo e rehatshme për mua, por nuk dua të shpërqendrohem nga fokusi im, duke folur për gjëra që nuk janë fokusi im. Fokusi im në këtë moment është përgjigjja ndaj vullnetit të shqiptarëve. Shqiptarët e bënë të qartë, sipas sondazhit të fundit, se janë 97% pro anëtarësimit. 97% e njerëzve në Shqipëri duan të jenë pjesë e BE-së dhe ky duhet të jetë fokusi im i vërtetë i vizitës sime. Siç u thashë dhe kolegëve tuaj, mund të luftoj dhe fare e vetme në Parlamentin Europian sepse besoj se anëtarësimi është vërtetë i rëndësishëm për vendin. Por, do të doja të kisha mbështetjen e të gjithë aktorëve tuaj politikë dhe shqiptarët në anën time duke luftuar për këtë. Nuk është momenti për të ardhur këtu për t’i shtuar zhurmë zhurmës së krijuar nga disa palë të ndryshme politike. Nuk do të komentoj, apeli im i vetëm është ai për dialog dhe gjetjen e zgjidhjeve të verteta, për problemet e verteta të vendit. Ky është fokusi.

A2: Ndërkohë, në datën 2 mars, Presidenti ka thirrur popullin në shesh për të luftuar atë që e quan uzurpim të institucioneve. Mendoni se kjo krizë mund të reflektohet me një përgjigje negative për hapjen e negociatave?

Isabel Santos: Shpresoj që jo, sinqerisht shpresoj që jo. Por, në këtë moment nuk mund të parashikoj efektin që mund të ketë kjo përplasje. Nuk e di nëse palët do të mund ta riformësojnë këtë përballje në të cilën janë përfshirë, cili do të jetë reagimi në ditët e ardhshme dhe cili do të jetë rezultati final në 2 mars. Shpresoj që jo, që përplasja të mos ketë efekt negativ, por nuk e parashikoj dot tani efektin e vërtetë të saj.

A2: Në konferencën për shtyp bëtë thirrje për vazhdimin e Reformës Zgjedhore dhe që të gjithë aktorët të përfshihen në të. A keni informacion nëse dikush po tenton ta bllokojë apo dikush po përjashtohet nga kjo reformë?

Isabel Santos: Jo, nuk kam asnjë informacion për ndonjë tentativë bllokimi. Apo se dikush po përjashtohet. Përkundrazi, të gjithë më thanë se po bashkëpunonin për këtë reformë dhe kjo është për mua shumë pozitive. U thashë se ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe dialog për ta përmbyllur këtë reformë. Shpresojmë të përfundojë në 15 mars. Është e rendësishme. Si ligjvënëse, kam përvojë në negocim. E di sa e vështirë të arrihet në fund të një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ndaj, një apel që të ketë bashkëpunim e dialog për të vazhduar këtë reformë që është një ndër kushtet për hapjen e negociatave. Të gjithë duhet të përfshihen për ta mbyllur me sukses dhe një ligj të mirë.

A2: Mazhoranca ka sjellë në Kuvend një paketë të quajtur anti KÇK, e përbërë nga 5 ligje. Ka pasur mjaft kritika ndaj ligjeve të kësaj pakete, kryesisht atij për Policinë e Shtetit. Ju personalisht jeni njohur me përmbajtjen e ligjeve?

Isabel Santos: Para se t’i përgjigjem kësaj, do të shtoj dhe diçka në lidhje me pyetjet e mëparshme. Është e rëndësishme të përparohet me Reformëm Zgjedhore, jo vetëm me Kodin. Duhen bërë reformime të tjera në sistemin e partive. E rëndësishme është të ndryshohet mënyra e financimit të partive, fushatave… Të ndryshohet ligji për partitë politike. Po i kërkoj këto ndryshime jo vetëm për të përmbushur kriteret e BE-së, por është mirë për vendin. Për të diskutuar dhe ligje të tjera të lidhura me to. Për të pasur një sistem politik më eficent dhe më në përputhje me standardet europiane. Duke u kthyer te pyetja juaj e fundit, sigurisht që qeveria dhe Parlamenti kanë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për ligjet dhe aktet legjislative. Ne do ta ndjekim zbatimin e ligjit. Nëse në ndonjë moment do të vërejmë se të drejtat e njeriut nuk po respektohen, BE dhe besoj se dhe SHBA, do t’i kërkojnë vendit tuaj të rimendojnë dhe ndryshojnë ligjin. Për tani, na duhet të ndjekim zbatimin e të shohim nëse është në përputhje të plotë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Janë vlera bazike në Bashkimin Europian që nuk mund të shkelen. Jemi shumë striktë për këtë. Për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin është e rëndësishme të ndiqet paraja. Është parim thelbësor, po ashtu dhe zgjidhja. Do ta ndjek personalisht zbatimin e ligjit gjithashtu. Ju siguroj se në çdo moment që arrij në konkluzionin se ka shkelje të të drejtave të njeriut, do ta ngre zërin. Do t’i kërkoj Shqipërisë ta ndryshojë ligjin. 

A2: Presim një opinion nga Komisioni i Venecias për ligjin për mediat audiovizive. Në konferencë thatë se duhet të zbatohet ky rekomandim. Nëse nuk ndodh kështu, keni një sugjerim për politikën shqiptare?

Isabel Santos: Sugjerimi im i vetëm është që të prisni opinionin e Komisionit të Venecias dhe ndiqni të gjitha rekomandimet e tij. Ky ka qenë qëndrimi im që nga fillimi. Shqipëria duhet të presë rekomandimin dhe qeveria t’i zbatojë. Për mua është e qartë dhe që nga fillimi deri më tani kam qenë shumë koherente me qëndrimin tim.  

A2: Zonja Santos, faleminderit për intervistën.

Isabel Santos: Falemiderit juve për ftesën, shpresoj t’ju shoh së shpejti sepse do të jem në Shqipëri muajt e ardhshëm. Shpresoj të kemi mundësi të tjera për të biseduar, faleminderit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos