
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Grelad Rockeschaub, vlerëson se situata në vend mbetet e kontrolluar, por rritja e ndjeshme e rasteve të reja është shqetësuese.
Në një intervistë për A2, Rockeschaub kërkon më shumë kujdes, pasi varianti Delta i koronavirusit, ndryshe nga sa parashikohej fillimisht, po shton numrin e personave të infektuar që kanë nevojë për trajtim mjekësor.
“Fatkeqësisht ajo po shohim aktualisht në Shqipëri dhe jo vetëm, përfshirë këtu edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore një rritje të ndjeshme të rasteve të reja. Po shohim që rastet ditore këtu po vërtiten në rreth 500. Patëm pak më pak se 500 raste të reja ditën e djeshme, por po shohim një trend në rritje që fatkeqësisht po reflektohet edhe te numri i personave të hospitalizuar. Aktualisht kemi 84 të infektuar që kanë nevojë për trajtimin në spital.”, u shpreh Rockenschaub.
Lidhur me diskutimet publike dhe politike për vaksinim të detyruar, përfaqësuesi i OBSH ka këtë qëndrim:
“Mendoj që mbetet ende një vendimin personal për t’u vaksinuar. Preferojmë më shumë që të edukojmë mbi vaksinimin, për t’i bindur njerëzit me anë të fakteve.”
Teksa disa vende kanë rekomanduar edhe vaksinim kundër Covid-19 të personave nën 18 vjeç, Rockeschaub thotë se në Shqipëri ky hap mund të ndërmerret vetëm pas vaksinimit të të gjitha grupeve më të rriskuara.
“Unë mendoj se qartësisht, ne duhet të fokusohemi te ato grupe, më të moshuarit apo personat me sëmundje kronike. Shohim një fushatë të suksesshme vaksinimi, por jemi ende larg synimeve. Mendoj që personat nën 18 vjeç mund të vaksinohen pasi të imunizohet e gjithë popullata në moshë të madhe, që për momentin mbetet prioritet.”
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri pranon se për të shtyrë njerëzit që të vaksniohen, mund të merren vendime për të kufizuar disi veprimtarinë e atyre të pavaksinuar.
“Unë jam nga Austria dhe aty, nëse do të shkosh në restorant, duhet të provosh ose që je i vaksinuar ose të kesh një test negativ ose të provosh që e ke kaluar koronavirusin. Insciativa të tilla për t’u ndërmarrë sigurisht që bëjnë sens pasi i shtyjnë njerëzit që të vaksinohen dhe të mbrojnë jo vetëm veten e tyre por edhe komunitetin ku jetojnë.”, shprehet ai.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve dhe institucioneve, Përfaqësuesi OBSH-së në Shqipëri, Grelad Rockeschaub kërkon që të respektohen masat e marra deri më tani kundër Covid-19 pasi ato mbeten efektive edhe kundër variantit Delta. (A2 Televizion)