Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka publikuar faturat sesi kompanitë e inceneratorëve paguanin veten për konsulencë. Deri në dhjetor të vitit 2021, "Zoto Consulting" ka marrë nga inceneratorët 118 milionë lekë të reja, ndërsa "Consulting SE Partners", kompania e konsulencave të Stela Gugalljas, ka marrë 127 milionë lekë të reja. Sipas Kryemadhit, ministrat dhe zyrtarët e qeverisë, kryetarët e bashkive dhe miqtë e tyre, kanë vepruar bashkë si një grup i strukturuar kriminal.
“Ja ku i kanë çuar paratë e shqiptarëve "veprat" e Edi Ramës! Shikoni faturat, sesi Zoto paguan Zoton për të këshilluar Zoton. Stela paguan Stelën për të këshilluar Stelën. Ministrat dhe zyrtarët e qeverisë, kryetarët e bashkive, miqtë e tyre, kanë vepruar bashkë si një grup i strukturuar kriminal. Në komisionin hetimor parlamentar publiku po shikon disa deputetë-avokatë mbrojtës të aferës korruptive të shekullit”.
Sipas Kryemadhit, e vërteta gjendet në kallëzimet dhe provat që prokurorët e SPAK kanë përpara, të cilin e inkurajoi për të vepruar sa më shpejt.
“Pavarësisht zhurmës aktuale politike e mediatike për të mbrojtur karrierat e disave të përfshirë, e vërteta do të mbetet e pamohueshme. Fatin e tyre, këta zyrtarë e kanë përcaktuar kur kanë firmosur për këto procedura. Ne inkurajojmë fuqimisht prokurorët të veprojnë sa më shpejt, që të mbrojnë sa më shumë të jetë e mundur interesin dhe financat publike. Inceneratori i Fierit dhe Tiranës vijojnë të marrin pagesa dhe çdo ditë vonese është në dëm të qytetarëve”. (A2 Televizion)