Kryeministri Morawiecki akuzon: Wagner po provokon NATO-n

Nga A2 CNN
3 Gusht 2023, 14:20 | Bota
Kryeministri Morawiecki akuzon: Wagner po provokon NATO-n

Mercenarët e grupit Wagner po provokojnë NATO-n. Është ky alarmi i lëshuar nga kryeministri i Polonisë, Mateus Morawiecki, që flet me shqetësim të madh për praninë e luftëtarëve privatë famëkeq të Yevgeny Prigozhin në Bjellorusi.

Sipas tij, mercenarët po zhvendosen në kahun lindor të NATO-s, me qëllimin kryesor, destabilizimin e aleancës ushtarake.
“Kemi të gjitha llojet e sulmeve hibride në kufijtë tanë, në kufirin e Lituanisë, në atë të Polonisë, të cilat i kemi parë përgjatë dy viteve të fundit. Rusia dhe Bjellorusia po shtojnë presionin në kufijtë tanë, duke rritur numrin e provokimeve dhe ne duhet të tregojmë kujdes pasi provokimet do të shtohen. Folëm me presidentin Nauseda, dhe kjo mund të shihet tani edhe në Lituani, gjithashtu edhe në territorin e Letonisë. Kjo është ajo çfarë provokimi bën, kjo është ajo çfarë intriga dhe komploti i Putinit dhe Lukashenkos sjell. Këto janë aktivitetet operacionale që ndërmerren në anën e tyre, në mënyrë  që të krijojnë destabilizim, trazira, kaos, pasiguri dhe në të njëjtën kohë, të tentojnë të tregojnë dobësi në kahun lindore të NATO-s në sytë e të gjithë partnerëve tanë në NATO.”

Fërkimet mes Varshavës dhe Minskut janë shtuar ndjeshëm me strehimin e mijëra mercenarëve të Wagner, pas dëbimit të tyre nga presidenti rus Vladimir Putin, për shkak të rebelimit të armatosur të ndërprerë në gjysmë.

Presidenti bjellorusi Aleksandër Lukashenko i ka angazhuar luftëtarët e Prigozhin në trajnimin e ushtrisë së tij. Kjo ka bërë që Polonia të vendosë mbi 1 mijë ushtarë përgjatë kufirit që ndan dy shtetet.

Qeveria e Varshavës akuzoi atë të Minskut se ka shkelur hapësirën ajrore polake me anë të helikopterëve të ushtrisë.

Megjithatë ministria e jashtme bjelloruse ka reaguar duke pretenduar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur se ka ofruar të dhëna zyrtare për itinerarin e fluturimeve të helikopterëve. Lidhur me incidentin, Minskut thirri për sqarim ambasadorin e Polonisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos