Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi, garantoi se ekipi i tij është në lartësinë e detyrës.
Negociatat e ardhshme me Brukselin, ai i quajti si me të rëndësishmet për Shqipërinë në 70 vitet e fundit. Sipas tij, suksesi do të varet nga aftësia e Shqipërisë për të folur me një zë.
“Do të ketë sfida të mëdha përpara. Këto sfida, nga çdo institucion, nga çdo përfaqësues i lartë apo edhe nga ekipi negociator, do të ketë rëndësi të pallogaritshme për vendin tonë. Grupi që unë do të drejtoj është me njohuri shumë të larta profesionale dhe me përvoja të gjata në procesin e integrimit. Këto do të jenë negociatat më të rëndësishme që ka bërë Shqipëria në këto 70 vitet e fundit. Kjo punë do të kryhet mirë, nëse ne do të kemi harmoni dhe me përkrahjen e të gjithë këshillit dhe të gjithë faktorëve të tjerë që kanë peshë. Ne do të ndihmojmë maksimalisht për ta çuar përpara këtë proces”, u shpreh Zef Mazi. (A2 Televizion)