Përmes një shkrese të datës 8 qershor, Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar dënimin për armëmbajtje pa leje të kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj. Organi i akuzës u vu në lëvizje pas kërkesës së depozituar 4 muaj më parë nga selia blu, për verifikimin e mandatit të Malajt.
Në përgjigjen që i kthen Partisë Demokratike, Prokuroria thotë se kryebashkiaku i Matit në mars të 1999 është përfshirë në një debat gjatë të cilit ka përdorur edhe armën, duke plagosur në këmbë një tjetër person. Për këtë shkak, në korrik të atij viti, Gjykata e Matit e ka shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje.
Nisur nga kjo shkresë, PD kërkon heqjen e mandatit te kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj. Sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi u shpreh se ligji i dekriminalizimit e thotë qartë se një person nuk mund të ushtrojë funksione publike për një dënim të tillë, edhe kur e ka deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.
Sipas Bardhit, veç shkarkimit nga detyra, Malajt duhet t’i ndalohet përjetë kandidimi në zgjedhje. Shkresa e prokurorisë pritet t’i dorëzohet brenda tri ditëve Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të vendosë nëse Malaj do të qëndrojë ose jo në detyrë.
PD ka kërkuar verifikim të mandatit edhe për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani dhe atë të Mallakastrës Qerim Ismailaj. Deri me tani, për shkak të dekriminalizimit humbi mandatin kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, ndërsa ai i Shkodrës hoqi dorë nga marrja e mandatit. (A2 Televizion)

