
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimet në lidhje me vrasjen e komisarit të Policisë në Lezhë, Saimir Hoxha. Në fund të hetimeve, ILD ka rekomanduar vërejtje publike për dy prokurorët Milan Laskaj dhe Francesk Ganaj, që sipas Inspektorit kanë zvarritur hetimet për të riun Aldi Rama, përpara se ai të kryente vrasjen ndaj komisarit.
ILD konkludoi se gjatë hetimeve prokurori Ganaj çoi me vonesë dosjen penale për 21-vjeçarin e për këtë gjykata vendosi shuarjen e masës arrest me burg për të riun dhe caktimin e masës arrest shtëpie. Nga ana tjetër, ILD thotë se drejtuesi i prokurorisë Lezhë Milan Laskaj, pa shkaqe të arsyeshme, lejoi këtë vonesë në dorëzimin e dosjes në gjykatë.
Oficeri i krimeve në Policinë e Lezhës, Saimir Hoxha, u ekzekutua nga Aldi Rama paraditen e 28-shtatorit të kaluar teksa bashkë me dy kolegë të tij, po ktheheshin nga një aksion antikanabis në Ishull-Lezhë. Oficeret e policisë ndaluan për kontroll makinën në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Hoxha i kërkoi mjetin e identifikimit Ramës, ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, i riu arriti të largohet dhe gjatë operacionit policor për kapjen e tij, qëlloi veten me pistoletë, duke mbetur i plagosur rëndë dhe një ditë më pas ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë. (A2 Televizion)