Akuzohet se vrau Prekë Tonajn në Grudë, Eduard Kësolla lihet në burg për 35 ditë

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2022, 14:10 | Kronikë
Akuzohet se vrau Prekë Tonajn në Grudë, Eduard Kësolla lihet

Eduard Kësolla, i akuzuar se vrau për gjakmarrje Prekë Tonajn në fshatin Grudë të Shkodrës, është lënë në burg me afat 35 ditë nga Gjykata.

Në seancën gjyqësore, i pandehuri nuk ka folur asnjë fjalë. Avokati i tij ka kërkuar që të sillen prova që e implikojnë 30-vjeçarin, si dhe ka kërkuar një masë më të lehtë pasi deri tani nuk ka asnjë provë.

Gjykatësja e çështjes ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg me afat 35 ditë” për të pandehurin Eduard Kësolla.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas orës 19:00 të së dielës, ku Prek Tonaj u ekzekutua me kallashnikov nga një person i maskuar brenda një lokali. Plumbat e shumtë që kapën shënjestrën e këtij atentati, i shkaktuan Tonajt vdekjen e menjëhershme.

Tonaj është një person i njohur për Policinë e Shkodrës, pasi 11 vite më parë ka qenë i proceduar bashkë me dy persona të tjerë, si të dyshuar se kishin planifikuar një vrasje. Ndërsa më herët, viktimës i kanë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos