
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tregohet i drejtpërdrejtë me Bashkimin Europian lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd.
“A e dini pse Kosova është në dialog? Se beson shumë në dy principe. Në principin e parë besojmë se dialogu është për njohje të ndërsjellë. Dhe arsyeja numër dy e dimë se çfarë se çfarëdo rregullimi për të drejtat e serbëve është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Nëse është e kundërta, nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të shtetit ë Kosovës, atëherë është mirë me thënë ne mirupafshim, nuk ka interes këtu, interesi është i dyanshëm”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Reagimi i tij, i shprehur në konferencën e përbashkët me homologun austriak, Wolfgang Sobotka, erdhi pas deklaratës së përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se draft-statuti për Asociacionin, i propozuar nga Ekipi Menaxhues, ishte vetëm hapi i parë dhe se negociatat mes palëve duhet të vazhdojnë.
“Nëse e shihni statutin, dhe nëse e lexoni me vëmendje, atë statut që e prezantuan ishte saktë sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiç. Ishte statut për të krijuar një Republikë Serbe brenda Republikës së Kosovës, dhe kjo ishte anti-kushtetuese”.
Kryetari i kuvendit konfirmoi gatishmërinë e shtetit të Kosovës për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe aneksin e tij, ndërsa akuzoi palën tjetër se vetëm e ka shkelur atë. Lidhur me pajtimin e arritur fillimisht më 27 shkurt në Bruksel dhe pranuar zyrtarisht më 18 mars në Ohër, foli edhe zyrtari austriak.
“Me sa di unë marrëveshja e Ohrit thotë se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Unë mendoj posaçërisht anëtarësimi në Këshillin e Europës është vendimtar për Kosovën”, tha Wolfgang Sobotka, kryetar i Kuvendit të Austrisë.
Kryeparlamentari austriak i rekomandoi Kosovës që të shqyrtojë modelin e Tirolit të Jugut për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. (A2 Televizion)