Kryesia e PD i heq vulën para zgjedhjeve të 29 korrikut, reagon Gazment Bardhi

Nga A2 CNN
24 Korrik 2023, 16:10 | Politikë

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur t’i heqë Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi të drejtën e mbajtjes së vulës së kësaj force politike.

Vendimi është marrë me propozim të 1/5 së anëtarëve të Kryesisë dhe daton më 18 korrik, por2është bërë publike pak orë pasi Bardhi njoftoi se do të mbledhë Këshillin Kombëtar për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar më 29 korrik.

Sakaq, bëhet me dije se në vend të tij kompetencat do ti ushtrojë sekretari i çështjeve ligjore dhe zgjedhore Indrit Sefa, i cili është ngarkuar për të prodhuar dhe administruar në vazhdim vulën e demokratëve.

Vendimi i Kryesisë së PD

A2CNN ka arritur të sigurojë një reagim të Gazment Bardhit sa i përket vendimit të Kryesisë, me deputetin demokrat që deklaron: “Nuk e kam zakon të komentoj veprime dhe akte qesharake dhe nën efektin e dëshpërimit”.

Por sipas shpjegimit të Bardhit për interesin e publikut, theksohet se administrimi i vulës i takon Sekretarit të Përgjithshëm dhe vendimi i Kryesisë së PD praktikisht është nul pasi përbën shkelje në statutin e partisë.

Vula administrohet sipas nenit 8 të Statutit dhe urdhrit nr. 218, datë 07.11.2019 të Kryetarit të Partisë; ndërsa dokumentimi, arkivimi, dhe protokollimi behet sipas nenit 21 të Statutit të Partisë dhe rregullave të miratuara me udhëzimin nr. 8, datë 19.01.2020 të Sekretarit të Përgjithshëm.

Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetëm dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund t’ju vij këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë!”, sqaron Bardhi.

Më tej ai konfirmon edhe njëherë se do të thërrasë Këshillin Kombëtar, pas një relacioni për gjendjen në PD.

Po kam marrë një relacion të detajuar dhe kërkesë mbi situatën dhe vlerësimin e Këshillit Kombëtar dhe pasi i kam shqyrtuar kam ushtruar menjëherë kompetencat që më njeh Statuti i Partisë. Kam vendosur të thërras mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Ju falënderoj”, nënvizon Bardhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos