
Edhe pse votimi për kryebashkiakun e ri të Rrogozhinës u mbyll në orën 19:00 dhe kutitë u dorëzuan në kohë, në orën 23:00 ende nuk kishte nisur numërimi.
Gazetarja e A2 CNN, Belinda Ruçaj, deklaroi se procesi i numërimit nuk nisi deri në orët e vona të mbrëmjes për shkak të mungesës së numëruesve.
Qytetarët e Rrogozhinës iu drejtuan sot sërish qendrave të votimit për të zgjedhur kreun e bashkisë së tyre, pasi zgjedhjet e 14 majit u shpallën të pavlefshme në këtë bashki.
Dy kandidatët, Edison Memolla i Partisë Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u gjenden edhe një herë përballë vullnetit të qytetarëve.
Në orët e para të mëngjesit, pjesëmarrja ka qenë mjaft e ulët, por në fund të ditës votuan 35% të qytetarëve, më shumë sesa në 14 maj. (A2 Televizion)