Kryhet falja e parë në Hagia Sofia, Erdogan reciton vargje nga Kurani

Nga A2 CNN
24 Korrik 2020, 19:04 | Bota

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, iu bashkua të premten një turme të madhe besimtarësh myslimanë, të cilët mbajtën faljen e parë në Hagia Sofia, që prej vendimit për ta rikthyer atë në xhami.

Godina qindravjeçare ka shërbyer më parë si kishë dhe xhami, por prej dekadash ishte kthyer në muze. Vendimi për rikthimin e saj në xhami inatosi të krishterët dhe laikët në Turqi, por u kritikua edhe në Europë.

Presidenti Erdogan recitoi edhe vargje të Kuranit para nisjes së faljes, zëri i tij u dëgjua edhe nga besimtarët e shumtë të mbledhur në sheshin para Xhamisë së Madhe. Gjykata e Lartë Administrative i hoqi Shën Sofisë statusin e monumentit të kulturës në 10 korrik duke i hapur kështu rrugën Erdoganit për ta rikthyer në xhami.

Falja e të premtes ishte e para e mbajtur në godinën simbol të Stambollit që prej 86 vitesh. Si për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi, liderët ortodoksë vendosën të mbanin një ditë zi. Në Stamboll, dikur të quajtur Kostandinopojë, ka selinë edhe Patriarku Ortodoks, i quajtur “i pari mes të barabartëve” ndër krerët e Kishave Ortodokse Autoqefale.

Për rreth 900 vjet – pasi u ndërtua në vitin 537 nga Perandori Bizantin Justiani – godina ka shërbyer si katedrale e krishterë. Nga viti 1453 deri në vitin 1931, ishte një prej xhamive më madhështore të botës islame, nën drejtimin e Perandorisë Osmane.

Në vitin 1934, Hagia Sofia u kthye në muze me një dekret të Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të shtetit modern turk. Statusi si monument kulture ka bërë që vizitorë të të gjitha feve të shijojnë godinën e mrekullueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos