Kualifikueset në Afrikë, Egjipti dhe Algjeria jashtë Kupës së Botës

Nga A2 CNN
30 Mars 2022, 12:13 | Futboll

Pas finales së Kupës së Afrikës, Senegali mposhti sërish me penallti Egjiptin. Këtë herë, suksesi i dhuroi senegalezëve kualifikimin në Botërorin 2022 në Katar, teksa Mohamed Salah me shokë do të detyrohen ta shohin turneun më të rëndësishëm botëror nga shtëpia.

Egjipti nuk arriti të menaxhonte fitoren 1-0 të ndeshjes së parë. Në takimin e kthimit, Senegali fitoi me të njëjtin rezultat në shtëpi, duke bërë që fituesi të vendosej pas ekzekutimit të 11-metërshave.

Festimi i Senegalit, i dyti pas fitores në finalen e Kupës së Afrikës

Të ndihmuar edhe nga tifozët, që verbuan me lazera lojtarët kundërshtarë, përfaqësuesja senegaleze fitoi 3-1. Dritat në sy ndikuan që Salah, Sayed e Mostafa të gabonin nga pika e bardhë, ndërsa Mane realizoi penalltinë vendimtare.

Edhe Algjeria mbetet jashtë Kupës së Botës, ku fitorja1-0 e ndeshjes së parë në transfertë u neutralizua nga Choupo-Moting. Barazimi i algjerianëve me Touba në të 118-ën nuk mjaftoi, pasi Kameruni shënoi në minutën e 124-t të lojës me Ekambi dhe siguroi biletën në Katar.

Kameruni kualifikohet ndaj Algjerisë, feston edhe ylli Samuel Etoo, tashmë president i federatës kamerunase

Mes skuadrave të tjera të kualifikuara festuan Maroku, që mposhti 4-1 Republikën Demokratike të Kongos, por edhe Tunizia, të cilës i mjaftoi barazimi pa gola ndaj Malit në ndeshjen e kthimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos