Kufizimet ndaj Afrikës së Jugut, Guterres flet për aparteid: Masat janë të papranueshme

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 12:01 | Bota
Kufizimet ndaj Afrikës së Jugut, Guterres flet për aparteid:

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përdor fjalë të forta për të dënuar kufizimet në udhëtime nga shtetet afrikane, si pjesë e masave kundër përhapjes së variantit të ri.

Sipas Guterres, kufizimet që izolojnë një vend apo një rajon, janë jo vetëm thellësisht të padrejta e ndëshkuese, por edhe të paefektshme. Ai shkon më tej duke përmendur fjalën aperteid.

“Kur virusi është kudo, është e papranueshme të izolosh një pjesë të botës, një prej pjesëve më vulnerabël ekonomikisht; ta dënosh me mënjanim. Ishin ata që zbuluan ekzistencën e variantit të ri, i cili ekzistonte edhe në rajone të tjera të botës, përfshirë Europën. Kështu bëj një thirrje të fortë, për t’iu rikthyer logjikës. I kemi instrumentet për udhëtim të sigurt; le t’i përdorim për të shmangur këtë lloj apartidi. Mendoj se është e papranueshme”, u shpreh Antonio Guterres.

Omcron u identifikua fillimisht në Afrikën e Jugut dhe shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe vendet e Bashkimit Europian kanë njoftuar anulime e kufizime të udhëtime nga rajoni.

Afrika ka një prej niveleve më të ulëta të vaksinimit në botë, për shkak të mungesës së dozave. Guterres, prej kohësh ka paralajmëruar kundër rreziqeve të pabarazisë në shpërndarjen e vaksinave. Edhe autoritetet në Afrikën e Jugut, e shtete të tjera afrikane të prekura nga masat, i kanë cilësuar ato si diskriminuese dhe të pajustifikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreziku nga Omicroni është shumë i lartë, por OBSH-ja, po ashtu, ka kundërshtuar ndalimin e udhëtimeve nga kontinenti, duke e komentuar si “sulm ndaj solidaritetit global”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos