Vaksina kundër koronavirusit, Pfizer: Mund të jetë e nevojshme çdo vit

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 11:03 | Bota
Vaksina kundër koronavirusit, Pfizer: Mund të jetë e nevojshme

Efektshmëria e dozës përforcuese të vaksinës së Pfizer dhe Biontech, pritet të zgjasë të paktën 12 muaj dhe do të jetë e nevojshme të merren doza të tjera vjetore, për të ruajtur të lartë mbrojtjen nga Covid-19.

Këtë e tha shefi ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla, në një intervistë për britaniken BBC, para shfaqjes së variantit Omicron.

“Nuk mund të them me saktësi se sa do të zgjasë imuniteti nga doza e tretë. Besoj shumë që do të zgjasë të paktën 12 muaj, dhe pse nuk e di këtë. Bazuar në atë që kemi parë deri më tani, me gjasë rivaksinimi do të jetë i nevojshëm çdo vit, për të ruajtur një nivel shumë të lartë mbrojtjeje”, u shpreh Bourla.

Ai e përshkroi krijimin e vaksinës së Pfizer-Biontech, si një dëshmi e mençurisë dhe fuqisë njerëzore që ka shpëtuar miliona jetë njerëzish dhe trilionë dollarë. 

“Gjëja më e rëndësishme është se shpëtuam miliona jetë njerëzish. Gjithashtu, i shpëtuam triliona dollarë ekonomisë globale”, shtoi ai.

Vaksina origjinale e Pfizer duhet të ruhej në temperatura -70 gradë celsius, duke vështirësuar përpjekjet logjistike në disa pjesë të botës si Afrika, ku autoritetet ankohen për mungesa të frigoriferëve.

Por Bourla tha se një formulim i ri i vaksinës mund të ruhet tani në frigoriferë normalë nga 2-8 gradë Celcius, deri në tre muaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos