“Kujdes me flamën gripale, e hoqa vetë”. Rama: Kjo është qeveri e shumicës, jo e disave

Nga A2 CNN
30 Janar 2023, 09:25 | Politikë
“Kujdes me flamën gripale, e hoqa vetë”. Rama: Kjo

Kryeministri Edi Rama tha se ka munguar në daljet publike gjatë ditëve të fundit për shkak se ka qenë sëmurë. “Bëni kujdes me këtë flamën gripale që është vërdallë, sepse e hoqa vetë”, tha Rama gjatë një videomesazhi në Facebook për ndjekësit e tij.

Rama njoftoi gjithashtu se, pavarësisht gripit, ka vijuar diskutimet me skuadrën e tij. “Sidomos me financat, për disa politika të reja mbështetëse. Duke nisur nga paga minimale, pagat për disa kategori të veçanta të burimeve njerëzore, mbështetja edhe me strehim e mjekëve, ushtarakëve, policëve që kanë familje të re”, u shpreh ai.

https://fb.watch/ine7pyx9Vj/

Kryeministri konfirmoi se në pranverë do të ketë një tjetër ndihmë financiare për pensionistët, paratë për të cilët, sipas tij, do të sigurohen nga rindarja e taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë.

“Na vjen shumë mirë që pakoja e madhe ka lehtësuar ndjeshëm 1 milion përfituesit e saj, çka vihet re edhe në një rritje të kënaqshme të konsumit. Por e dimë që duhet akoma, pa diskutim, duke filluar nga ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat, sidomos ata në prodhim, të cilët duhet të paguhen me doemos më shumë dhe sa më parë. Së shpejti do t’i diskutojmë dhe vendosim në qeveri, pastaj patjetër do t’ia bëjmë me dije këto politika që e thellojnë më tej profilin e kësaj qeverie që është qeveri e shumicës, jo e disave”, tha Rama.

Kryeministri nuk kishte dalë në publik prej 25 janarit, kur u takua në selinë e Partisë Socialiste me krerët e qarqeve në vend, për të diskutuar për zgjedhjet e 14 majit. Ai gjithashtu mungoi një ditë më pas në Kuvend, ku opozita kërkoi që të ishte i pranishëm për të folur për çështjen e Charles McGonigal, ish-drejtuesit të FBI-së nën hetim në SHBA, i cili është takuar disa herë me Ramën kur ka vizituar Shqipërinë.

Sali Berisha e akuzoi Ramën se ka përdorur agjentin amerikan për të asgjësuar opozitën. Vetë Rama reagoi duke hedhur poshtë pretendimet, pasi, sipas tij, nuk ka asnjë akuzë ndaj tij nga drejtësia amerikane. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/26/rama-per-skandalin-me-zyrtarin-e-fbi-parate-ruse-te-pd-se-jane-fakt-mcgonigal-nuk-akuzohet-per-asgje-nga-keto-qe-fliten/

A2 CNN Livestream

Latest Videos