
Fundjava nuk ishte pushim për Sali Berishën i cili vijoi akuzat ndaj Edi Ramës. Çështja Mc Gonigal, e shndërruar tashmë në kryefjalë të akuzave politike ishte lajtmotivi i fjalës së kryedemokratit në 32- vjetorin e themelimit të degës së Burrelit.
“Sot kryeministri më i korruptuar i planetit, ka përdorur të gjitha mjetet për të marrë peng opozitën. Ka përdorur agjenturë ruse, ka përdorur diplomatë të korruptuar, ka përdorur një monstër siç është Xhorxh Sorosi, për asgjësimin e PD-së. Por sot, ne jemi më të fortë se kurrë. Jemi më të fuqishëm se kurrë. Forca qëndron në idealet tona, janë idealet tona, idealet e lirisë, e drejtësisë shoqërore, e interesit kombëtar. Ato janë të përjetshme sa ç’janë kombet të përjetshme. Ato do jetojnë aq sa do jetojë kombi shqiptar. PD do mbetet besnike e përjetshme e tyre”, deklaroi Berisha.
Përfshirja e Ramës në këtë çështje është e faktuar për Sali Berishën, akt të cilin thotë se shqiptarët nuk do t’ia falin.
“Edi Rama, armik i lirisë së shqiptarëve, ia ka dalë që me taksat tuaja, me paratë tuaja, të rekrutojë, në kundërshtim me ligjet e vendit dhe SHBA, njërin nga personat më të rëndësishëm në fushën e sigurisë së asaj toke”.
Për këtë çështje, Kryetari i Partisë Demokratike ka njoftuar edhe organizimin e një proteste.
“Por ky është akt, të cilin duhet ta ndëshkojmë dhe do e ndëshkojnë shqiptarët. Shqiptarët nuk mund të pranojnë një kryeministër që angazhohet në korrupsionin botëror kundër opozitës shqiptare. Ndaj dhe sot, çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare e Matit, Klosit dhe gjithë Shqipërisë janë në një mision historik: përmbysjen e këtij monizmi të urryer. Përmbysjen e këtij monizmi armik të lirisë dhe shqiptarëve, përmbysjen e një njeriu që në shtatë vite përzuri 31 përqind të popullatës, çka nuk ka ndodhur në asnjë luftë, në asnjë vend përveçse në Shqipëri”. (A2 Televizion)