Kukësi sfidon Vllazninë, Teuta synon të përfitojë

Nga A2 CNN
14 Janar 2021, 22:04 | Futboll
Kukësi sfidon Vllazninë, Teuta synon të përfitojë

Kryesuesit përballë një prej skuadrave pretendente në fillim të kampionatit. Në javën 14 të Kategorisë Superiore, Vllaznia luan trasfertën me Kukësin, skuadrës që i shkaktoi humbjen e parë sezonale.

Thomas Brdarić, trajner i Vllaznisë, u shpreh: “Jam i gëzuar që do të luajmë në një fushë të mirë si ajo e Elbasanit. E kemi të qartë cilësinë e Kukësit, por luajmë për tre pikët. I njohim vështirësitë që po kalojnë rivalët, por mendoj për ekipin tim dhe dua të shoh përmirësimet që kemi bërë. Nuk kemi si të mos luajmë në sulm, sepse nuk rreshtohemi me 11 portierë”.

Arlind Kalaja, futbollist i Vllaznisë, theksoi: “Ndeshja e fazës së parë, kur Kukësi na mposhti në Shkodër, u karakterizua nga episodet. Ajo e kaluara na ka bërë mirë sepse e kemi njohur më mirë kundërshtarin, por i dimë aftësitë tona dhe nuk duam të mendojmë më për të shkuarën, por për të ardhmen”.

Megjithë vendin e gjashtë në renditje dhe distancën prej 12 pikësh nga kreu, te Kukësi nuk janë dorëzuar. Rrahman Hallaçi, trajner i Kukësit, deklaroi: “Nuk është shkëputur ndokush dhe të themi se ka mbaruar gara. Skuadra është ndërtuar për trofe, nuk jemi dorëzuar. Një fitore nesër ndaj Vllaznisë e bën çdo gjë të hapur”.

Në takimin tjetër të kësaj të premteje, Teuta ndeshet me Bylisin, po në orën 18:00, me shpresën që të përfitojë nga hapi fals i shkodranëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos