
Mbyllet pa shumë histori akti i dytë gjysmëfinal mes Santos dhe Boca Juniors. Në Brazil triumfoi skuadra vendase e cila ishte favorite pas barazimit pa gola në ndeshjen e zhvilluar në Argjentinë.
Santos zhbllokoi takimin në minutën e 16-të me mbrojtësin Pituka, gol që solli qetësi për brazilianët dhe administrim më të mirë të lojës.
Në 45 minutat e dyta, kur pritej reagimi i Boca Juniors, vendasit dyfishuan me Soteldo dhe 2 minuta më vonë dërguan shifrat në 3-0 nëpërmjet mesfushorit Braga Ribeiro.
Argjentinasit kapitullojnë përfundimisht pas minutës së 56 kur Fabra la të tijtë me 10 futbollistë pas daljes me karton të kuq. Në minutat e mbetura, Santos i shfrytëzoi të gjitha ndërrimet duke i dhënë minuta edhe atyre që ndoshta nuk e kishin imagjinuar se do të aktivizoheshin në një përballje të kësaj rëndësie.
Finalja tashmë është e gjitha braziliane me Santos që ndeshet më 30 janar në Marakana kundër Palmerias. (A2 Televizion)