
Florian Marku mundi me KO teknik Rylan Charlton, duke siguruar një tjetër fitore të rëndësishme në karrierën e tij si boksier, në një ndeshje për peshat e lehta, të zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Britaninë e Madhe.
Marku u rrëzua vetë në tapet në raundin e gjashtë, por arriti të ringrihej dhe të grushtonte fort, duke i shkaktuar dëme të mëdha kundërshtarit dhe duke detyruar stafin e tij të hidhte peshqirin në ring, për të njoftuar dorëzimin.
E për habi të të gjithëve, peshqiri i hedhur nga skuadra e Charlton përfundoi në kokën e Markut, që e mbajti si një kapele për të treguar triumfin e tij.
Kjo ishte fitorja e tetë e shqiptarit në nëntë ndeshje boksi që ka zhvilluar deri tani. Ndërsa në Artet Marciale Mikse, MMA, ka zhvilluar 46 takime dhe ka fituar 43. (A2 Televizion)