"BKT Smart Invest", miratohet nga AMF platforma për investime ndërkombëtare

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2021, 17:29 | Ekonomi
"BKT Smart Invest", miratohet nga AMF platforma për investime

Banka Kombëtare Tregtare është tashmë e para bankë tregtare në Shqipëri që zotëron licencën për t’iu ofruar klientëve të saj mundësinë e investimit në bursat ndërkombëtare. “BKT Smart Invest”, aplikacioni praktik për investime ndërkombëtare mori miratimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Në fjalën e tij,  Drejtori i Përgjithshëm e njëherazi Anëtar i Bordit të BKT, Seyhan Pencablıgil teksa ftoi klientët të provojnë llogaritë e para demonstrative, parashtroi edhe funksionet dhe lehtësitë që aplikacioni ofron.

“Ashtu si udhëtimi pa viza në Shengen, tashmë edhe investimi nuk ka më kufij. Deri më tani, alternativat e investimeve ishin mjaft të kufizuara për Shqipërinë; depozitat me afat ose obligacionet qeveritare kanë qenë alternativa kryesore të investimeve financiare. Investime në të bërit biznes ose investime në pasuri të paluajtshme kanë qenë mundësi të tjera afatgjata. Ne u sugjerojmë fuqishëm klientëve tanë të provojnë llogaritë e para demonstrative që do t'i ndihmojnë ata të kuptojnë më mirë produktet dhe të shmangin risqet e panevojshme”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT, Seyhan Pencablıgil.

Në fjalën e tij, drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete vlerësoi qasjen inovative të BKT, duke e vlerësuar iniciativën si një hapësirë e re në tregun shqiptar.

“Ligjet e reja kanë rritur standardet dhe kërkesat për transparencë dhe përshtatshmëri, si elementë thelbësorë të nxitjes së besimit dhe pjesëmarrjes së investitorëve në tregjet e kapitalit. Kjo është platforma e parë e shërbimeve të investimeve online, që i jep akses të drejtpërdrejtë investitorëve shqiptarë, duke i ofruar mundësinë e investimit në aksione të kompanive ndërkombëtare dhe në një sërë instrumentesh të tjera Financiare”, deklaroi Mete.

Nëpërmjet “BKT Smart Invest”, klientët mund të zgjedhin midis alternativave të ndryshme të produkteve financiare dhe ata mund të përdorin levën financiare në varësi të instrumentit financiar. Gjithashtu, nëpërmjet aplikacionit, mundësohet investimi në aksione në kompani ndërkombëtare në shtete të ndryshme apo të mira materiale, duke filluar nga energjia dhe duke përfshirë naftën e papërpunuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos