Tetë efektivë policie mbetën të plagosur pasi protestues të shumtë i goditën me sende të forta dhe shishe gjatë një proteste në rrugët e Londrës të personave që kundërshtojnë vendosjen e pasaportave të vaksinave.
Bashkë me mijëra protestues ishin edhe prezantuesi televiziv Beverly Turner dhe dy kandidatë për Bashkinë e Londrës, Piers Corbyn dhe Laurence Fox. Demonstruesit kundërshtuan me forcë policët që u përpoqën t’i shpërndanin, kryesisht në “Hyde Park”.
Fotot e publikuara në mediat britanike tregojnë efektivë të gjakosur. Një zëdhënës i Policisë tha se dy efektivë u dërguan në spital për trajtime të mëtejshme. Në total u arrestuan 7 protestues.
Edhe pse Mbretëria e Bashkuar ka lehtësuar masat anti-covid, përsëri distancimi social dhe maskat mbrojtëse janë në fuqi.
Edhe deputetët e Partisë Konservatore në pushtet nuk kanë shprehur mbështetje ndaj nismës së vaksinave, por ministrat e kabinetit Johnson e shohin si rrugën e duhur për të ndjekur për rikthimin në normalitet. (A2 Televizion)