
Sot do te luhen dhe dy ndeshjet e mbetura në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Vëmendja shkon te derbi Teuta-Erzeni, aty ku çdo llogari është e hapur pasi 90 minutat e para përfunduan me rezultatin e barabartë 1-1.
Skuadra e Xhevahir Kapllanit po kalon një sezon ëndrrash dhe aktualisht e sheh veten si forca e tretë e kampionatit. Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për durrsakët që pozicionohet në zonën e ftohtë dhe objektiv kanë mbijetesën.
Megjithatë, me ardhjen e teknikut Edi Martini, skuadra duket se po reagon mirë dhe për këtë djemtë e detit do të luajnë shanset e tyre për kualifikimin në çerekfinale të Kupës.
Ndërkohë, ndeshja e fundit është ajo mes Vllaznisë dhe Bylisit. Shkodranët kanë hedhur një hap drejt kualifikimit pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë, megjithatë sipas teknikut Mirel Josa, skuadra, pavarësisht suksesit në ndeshjen e parë do të futet në fushë vetëm për të fituar. Dueli do të luhet sot në orën 13:00. (A2 Televizion)