
Dy ndeshjet e së mërkurës, të vlefshme për çerekfinalet eKupës së Shqipërisë konfirmuan ambiciet e Vllaznisë, për të mbrojtur trofeun. Shkodranët fituan 2-1 në Vlorë, në sfidën me Flamurtarin. Ndeshja që i riktheu përballë dy emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar u vendos nga golat e mesfushorit Mustedanagić. Boshnjaku shënoi nga një gol në secilën pjesë të lojës, duke bërë që Vllaznia të hedhë një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve. Edhe pse luan në nivelin e tretë të futbollit në vend, Flamurtari qëndron në lojë për ndeshjen e kthimit, falë rrjetës së realizuar nga Oliveira, pas gabimit të portierit Qarri.
Vetëm barazim 1-1 në takimin e luajtur në Rrogozhinë ndërmjet Egnatias dhe Laçit. Avantazhit të kurbinasve me 11-metërshin e Shehut, vendasit iu përgjigjën vetëm pak minuta më pas, me rrjetën e Demirit. Edhe pse është në garë të plot për mbijetesën në elitë, Egnatia konfirmon se do të luftojë për të qëndruar sa më gjatë edhe në Kupë. Takimet e kthimit do të luhen në datën 9 shkurt.
Të enjten Kupa e Shqipërisë rezervon këtë mesjavë derbin e kryeqytetit Dinamo-Partizani. Dy skuadra që në kampionat ndodhen shumë larg pritshmërive duke pasur parasysh dhe pozitat në klasifikim do të matin forcat në kupë, si rruga e vetme për të shpëtuar sezonin.
Nga ana tjetër ndeshje e bukur është dhe ajo në Korçë mes Skënderbeut dhe Teutës. Edhe pse me një terren të rënduar nga kushtet atmosferike, dy skuadrat do të japin gjithçka për të fituar. Dueli Skënderbeu-Teuta do të luhet këtë të enjte në orën 13:45 për ti lënë vend më pas derbit të kryeqytetit në orën 16:45. (A2 Televizion)