
Paris Saint Germain do të gjendet në një situatë të pabesueshme të hënën e ardhshme, kur të luajë ndaj Nice në 1/8 e finaleve të Kupës së Francës.
Skuadra e kryeqytetit nuk do të ketë të disponueshëm asnjë nga 3 portierët: Donnarumma (i dëmtuar), Keylor (i grumbulluar me Kosta Rikën) dhe Letellier (i dëmtuar).
Dëmtimi i Donnarumma nuk është i rëndë, por portieri italian do të kthehet në stërvitje vetëm pas 10 ditësh. Sa i përket Keylor Navas, nuk mund të largohet nga grumbullimi i kombëtares së tij; Sergio Rico, i cili deri para pak ditësh ishte portieri i tretë, është dhënë borxh te Mallorca; i fundit në radhë, Letellier, aktualisht është i dëmtuar dhe PSG po shpreson në rekuperimin e tij të shpejtë.
Nëse nuk ndodh kjo, Pochettino do të përdorë në portë për ndeshjen e Kupës njërin nga dy portierët e ekipit të dytë: Franchi ose Lavalle, të cilët ende nuk kanë debutuar me ekipin e parë. (A2 Televizion)