“Kur vetë nuk je aktiv të sjellin propozimet e OJF-ve”, Robelli: Për Asociacionin duhej një ekip ekspertësh kosovarë

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2023, 21:43 | Kosova
“Kur vetë nuk je aktiv të sjellin propozimet e OJF-ve”,

Mes debateve në Prishtinë dhe tensioneve në Beograd, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak i vizitoi sot të dyja vendet në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Enver Robelli, redaktor i gazetës zvicerane Tagesanzeiger, analizon përgjegjësitë e klasës politike kosovare.

“Gjykata Kushtetuese në 2015 ka shpallur antikushtetuese një pjesë të saj, por nuk e ka shpallur të gjithë Asociacionin,  dhe klasa politike kosovare duhet të gjente një rrugëdalje për të shpëtuar aq sa mundte.  Për këtë fakt janë fajtorë të gjithë partitë, edhe Vetëvendosja që në mënyrë kryeneçe ka refuzuar të diskutoj për një çështje që herët a vonë do të duhej të merrej. Do të duhej një unitet politik, por është diçka e vështirë sepse polariteti po shtohet mes tyre”, është mendimi i tij në ”Debat”.  

Për Robellin “Kurti ka bërë një propozim që duhet të merrte kur erdhi në pushtet. Politikanët largpamës kur marrin pushtetin duhet të marrin edhe vendime të vështira dhe jo vetëm ato për elektoratin që e ka sjellë në pushtet”.

Sipas tij, nga 6 pikat e propozuara si kundërpërgjigje nga Albin Kurti, pika e të drejtave të barabarta edhe për shqiptarët në Serbi është interesante, por redaktori i Tagesanzeiger citon një diplomat që i kujton atij që  “kryeministri nuk duhet të harrojë atë që kanë firmosur paraardhësit e tij”.

Sipas tij duhet të evitohet se komunat e banuara me serbët të kenë një qeveri paralele që të bllokojë shtetin e Kosovës. Do të duhej një ekip ekspertesh kosovarë dhe nga bota e jashtme që të përgatisnin një statut të këtyre komunave, ndërkohë që tani ka një studim të një fondacioni gjerman, Friederich Ebert,  që unë i kam parë si problematike. Por kur vetë nuk je aktiv, atëherë një ditë do të paraqiten diplomatë që do t’i sjellin këto propozime në tavolinë, duke shtuar më tepër presionin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos