
Qendra e formimit profesional në Elbasan edhe në këto ditë vere vijon me kapacitet të plotë kurset trajnuese për qindra persona që kanë zgjedhur më në fund të kenë një profesion për të ardhmen e tyre. janë mbi 900 persona, gra, vajza, djem dhe burra që po ndjekin kurset e kualifikimit për profesione nga më të ndryshmet, nga kuzhinierët e berberët e deri tek automekanikët, estetika, hidraulikët dhe elektricistët.
Mësuesi që drejton kursin e kuzhinës shprehet se mbi 80 për qind e kursantëve që përfundojnë kursin punësohen menjëherë.
Për gratë dhe vajzat kurset e estetikës janë ndër më të preferuarat. Ndërsa për mësuesen që drejton kursin ky lloj profesioni është edhe ndër më të paguarit në tregun shqiptar.
Për drejtorin e qendrës së formimit profesional në Elbasan, kërkesat dhe regjistrimet janë në nivele të kënaqshme, ndërsa shprehet se kurset nuk ndiqen vetëm nga të rinjtë.
Qendra e formimit profesional në Elbasan, mund të cilësohet nga më të kompletuarat në vend, pasi përveç anës teorike disponon ambientet dhe laboratorët e praktikës thuajse për të gjitha profesionet. (A2 Televizion)