Me shpejtësi skëterrë, VIDEO nga momenti kur BMW-ja “fluturon” te diga e Liqenit

Nga A2 CNN
22 Gusht 2023, 13:14 | Aktualitet

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar videon e plotë nga aksidenti i paprecedentë te Liqeni Artificial, ku mund të kuptohet e gjithë dinamika e plotë. Siç mund të shikohet edhe nga pamjet, 26-vjeçari durrsak E. A., ka qenë duke lëvizur me shpejtësi skëterrë me BMW-në e tij.

Ai ka ardhur nga rruga e Kosovarëve, ka ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit. Për fat, këto të fundit e kanë shpëtuar nga mbytja në Liqenin Artificial. Ky aksident u regjistrua rreth orës 05:15 të mëngjesit të kësaj të marte, çka për fat të mirë, në atë orar nuk ka pasur lëvizje, duke u shmangur një tragjedi me përmasa të mëdha.

Veliaj,  tha se janë mbledhur provat e duhura dhe se do të kërkojnë dënim maksimal për shoferin tashmë në kërkim.

“Tani çdo gjë është kthyer në normalitet, por shpejtësia skëterrë e shoferit (jo e makinës - se makina s'ka vendimarrje në çmenduri) që përfundoi mbi digën e Liqenit, rrezikon qytetarët por dhe vetë të lojturin që veç bordura e shpëtoi nga mbytja në Liqen!

Bashkë me Policinë e Shtetit kemi mbledhur provat e do kerkojmë dënim maksimal për shoferin tashmë në kërkim - zero tolerancë për kërcënuesit e jetës e bashkëjetesës në qytet”, shkruan Veliaj.

Ndaj tij, rëndojnë akuzat për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/22/nga-rruga-e-kosovareve-perfundoi-te-diga-e-liqenit-zbulohet-kush-eshte-shoferi-i-bmw-se-luksoze/

A2 CNN Livestream

Latest Videos