
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të mërkurën në mbrëmje në një darkë joformale në Berlin, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar, në prani të të dërguarit speciale të BE për bisedimet, Miroslav Lajçak.
Në një postim në rrjetet sociale, Miroslav Lajçak vlerësoi takimin duke thënë se negociatat do të vijojnë në nivel kryenegociatorësh duke filluar nga data 13 maj.
“E mirëprita mundësinë për një darkë joformale diskutimesh rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimet në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi Miroslav Lajçak.
Më herët, Kuri dhe Vuçiç zhvilluan takime të ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz, me të cilin thuhet se u diskutua rreth reagimit të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë si dhe bashkëpunimin rajonal.
Kancelari gjerman Scholz tha pas takimit me kryeministrin Kurti se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi do të hapte rrugën për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
“Qëllimi i bisedimeve të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kontribuon për qëndrueshmërinë rajonale, tha kancelari Scholz,
Kryeministri Kurti tha se bisedimet duhet të jenë të përqendruara në njohjen e ndërsjellë pra jo në njohje që vjen në fund të një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër.
Ndërsa presidenti Vuçiç në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe përhapjen e ndikimeve në Ballkan, u shpreh se i premtoi kancelarit Scholz se Serbia nuk do të jetë shkaktare e asnjë problemi. (A2 Televizion)