
Përfundoi pa marrëveshje takimi për çështjen e targave mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet deri në arritjen e ujdisë.
“I ftoj kryenegociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale”, shkruan Lajçak në Twitter.
Zyrtari i BE fton Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren.
Sot skadon dhe afati i ujdisë së përkohshme që rregulloi qarkullimin e automjeteve në territoret respektive me mbulimin e simboleve shtetërore. Ndërsa nuk dihet ende se si do të veprohet duke nisur nga nesër, mes frikës se mund të rikthehet situata kritike e shtatorit të kaluar.
Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe drejtori I zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, pritet që të njoftojnë qeveritë përkatëse për bisedimet në Bruksel. (A2 Televizion)