Osmani: Rusia dhe Serbia janë rrezik për Ballkanin

Nga A2 CNN
22 Prill 2022, 16:34 | Kosova
Osmani: Rusia dhe Serbia janë rrezik për Ballkanin

Rusia dhe Serbia paraqesin rrezik për rajonin e Ballkanit. Kështu pohoi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa priti në Prishtinë homologun e saj nga Letonia, Egils Levits.

Ajo kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe nënvizoi se Aleanca Perëndimore duhet t’i ketë dyert e hapura për vendin e saj.

Osmani tha se Prishtina po bën maksimumin për të arritur marrëveshjen për targat me Beogradin dhe akuzoi palën tjetër se po bllokon procesin e dialogut: “Ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje, ajo çka mund t’ju siguroj është se Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane. Ndërkaq, se si do të sillet Serbia, varet nga ata, por sjellja e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog”.

Presidenti i Letonisë mirëpriti aplikimin e Kosovës për në Këshill të Europës dhe e konsideroi të domosdoshme integrimin në organizata dhe forume ndërkombëtare: “Është e rëndësishme që të fuqizojmë bashkëpunimin mes Kosovës dhe NATO-s. Si hap i parë, së paku është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe dhe mendoj se tani është koha e duhur për të bërë këtë hap të mirë. Varet nga NATO, pasi është ajo që do të vendosë rreth kësaj. Është shumë e rëndësishme që të fuqizohet bashkëpunimi për aderim të Kosovës në NATO. Letonia po e përkrah këtë hap”.

Më tej, tha se dialogu me Serbinë nuk duhet të jetë pengesë për avancimin në proceset eurointegruese për Kosovën. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Presidenti i Letonisë u takua dhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe me kryeministrin Albin Kurti.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos