Kurti flet për Asociacionin: Nuk mund t’i shmangem marrëveshjeve të mëparshme

Nga A2 CNN
23 Mars 2023, 12:18 | Kosova
Kurti flet për Asociacionin: Nuk mund t’i shmangem marrëveshjeve

Debate të ashpra kanë shoqëruar seancën e së enjtes në kuvendin e Kosovës, ku kryeministri Albin Kurti raportoi përpara deputetëve në lidhje me marrëveshjen e arritur në Ohër mes tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Tema kryesore e përplasjes mes kreut të qeverisë dhe opozitës ishte çështja e asociacionit, e cila është një ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje.

Kurti u shpreh përpara deputetëve se asociacioni është një marrëveshje e arritur nga qeveritë e mëparshme dhe ai nuk mund t’i shmanget asaj. Megjithatë, kryeministri u angazhua që ai të themelohet sipas Kushtetutës së vendit.

“Aleatët tanë na kujtojnë që marrëveshjet janë arritur në mes qeverive të shteteve tona, me detyrime të qëndrueshme edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim”, tha ai.

Në lidhje me marrëveshjen europiane të nënshkruar në Ohër, kreu i qeverisë tha se përmban një tekst të mirë, por u shpreh se deri në zbatimin e saj mund të jetë një kohë e gjatë.

“Ia vlen mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme. Do të ketë shumë kurthe e pengesa. Serbia do të bëjë gjithçka që është e mundur, përfshirë injorimin haptas të marrëveshjes, anulimin e interpretimin e riinterpretimin e asaj për të cilën tashmë kemi rënë dakord”, tha Kurti.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e kritikoi Kurtin për zbrapsje nga qëndrimet e tij, sidomos sa i përket Asociacionit.

“Kryeministri i Kosovës me një fjali mbrëmë e ka përmbysur të gjithë jetën e tij politike. Po, ka Asociacion dhe ka pasur Asociacion sa herë që ky ka thënë që nuk ka asociacion. Me marrëveshjen në Ohër, Kurti ka rrezikuar t’u japë autonomi politike serbëve të Kosovës”, tha Krasniqi.

Edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, e kritikoi Kurtin në lidhje me pranimin e Asociacionit në marrëveshjen e Ohrit, pa i përfillur kushtet e tij që i kishte vënë në fillim të muajit shkurt.

Një ndër kushtet e përmendura nga Kurti ishte që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet vetëm pas njohjes reciproke. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos