Kush qëlloi i pari? Drejtori i policisë Veliu nuk sqaroi pikën kulmore të ngjarjes

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 19:40 | Kronikë
Kush qëlloi i pari? Drejtori i policisë Veliu nuk sqaroi pikën

Drejtori i përgjithshëm i policisë se Shtetit dha versionin zyrtar të ngjarjes  ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër persona të tjerë mes të cilëve edhe një efektive e policisë. Sipas Ardi Veliut në total u arrestuan 11 persona ndërsa Kelmend Xhaferri është shpallur në kërkim por pa përmendur në asnjë moment se kush qëlloi i pari ndaj palëve në konflikt.

 “Në makinën e cila dyshohet se lëvizte Kelmend Xhaferri policia gjeti vetëm këto broshura të kandidatit për deputet Taulant Balla”, deklaroi drejtori i Policisë.

Ndër të tjera Ardi Veliu shuajti dhe pretendimet se në makinën pa targa ishin gjetur karta identiteti apo dhe para që do të shërbenin për blerjen e votave.

Mes të arrestuarve autori i dyshuar i vrasjes se Xhuvanit, ish-efektivi I forcave RENEA, Arbër Paplekaj krahas akuzës së vrasjes rëndon dhe heqja e paligjshme e lirisë si dhe vrasja e mbetur në tentativë ndaj punonjëses së policisë.

https://a2news.com/2021/04/22/vrasja-ne-elbasan-drejtori-i-policise-deklarate-zyrtare-nuk-gjetem-sende-per-shitblerjen-e-votes/

Të arrestuarit e tjerë, shumica ish-efektivë dhe ushtarakë,  akuzohen për heqje të paligjshme të lirisë të kryer me dhunë në bashkëpunim si dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Nga ana tjetër Veliu tha se struktura e mbrojtjes së votës e ngritur nga Partia Demokratike është në cenim të ligjit.

“I vetmi institucion ligjzbatues përgjegjës për kontrollin e ruajtjen e sigurisë është policia e shtetit”, deklaroi Veliu.

Kryepolici tha se njoftimi i parë në sallën operative u bë në orën 1.24 minuta. Sipas denoncimit, furgonë të loguar nën siglën e Partisë Demokratike lëviznin në qytetin e Elbasanit ndërsa ishin të armatosur. Për këtë policia e Elbasanit nuk mori asnjë masë.

30 minuta më pas, ish-efektivi i liruar nga detyra në vitin 2013,  Arjan Hoxha lajmëroi policinë se në rrugën “Lef Nosi” kishin ndaluar një makinë dhe drejtuesin e saj , pasi ofronte para në këmbim të votave për Partinë Socialiste.

Pas vajtjes në zonë edhe të dy nëndrejtorëve të policisë së Elbasanit sërish historia vijon të mbetet e paqartë jo vetëm pse policia nuk ka kontroll mbi territorin por edhe se kur ka informacion nuk ndërhyn apo dhe kur në Elbasan lëvizin makina pa targa. Në fund si gjithnjë çështja i mbetet hetimit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/04/21/tronditet-elbasani-vritet-pjerin-xhuvani-4-te-tjere-mbeten-te-plagosur-mes-tyre-nje-efektive-policie-arrestohet-autori-i-dyshuar-eshte-shoqeruesi-i-gazment-bardhit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos