
Ngjarja më e fundit që ndodhi një ditë më parë në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe 4 të tjerë u plagosën, është diskutuar në studion e “Absolut 4”. Për gazetarin e A2 CNN Juli Kasapi, kjo është një ngjarje e rëndë dhe me prapavijë politike, për të cilën policia duhet të bënte transparencë dhe jo të mjaftohej sot , 24 orë pas ngjarjes, që të thoshte se ishte konflikt që përfundoi me një viktimë dhe 4 të plagosur.
“Unë e quajta që prej ditës së djeshme si sprovë të policisë pasi duke qenë një ngjarje e rëndë dhe me prapavijë politike, por ajo që duhet të sqaronte policia nuk ishte momenti i parë dhe i fundit, por se kush qëlloi, nëse kishim të shtëna nga simpatizantët e PS apo të ish- efektivit të RENEA-s. Nuk tha asgjë sa i takon dinamikës së ngjarjes, u mjaftua me konflikt që përfundoi me një të vrarë dhe 4 të plagosur. U bë e njëjta pyetje se kush qëlloi i pari dhe si nga drejtori i policisë dhe prokurori, përgjigjja ishte se çështja mbetet nën hetim dhe për ngjarje kaq sensitive policia nuk jep informacion. Ka ardhur koha për transparencë, kemi një të vrarë dhe 4 të plagosur dhe mendoj që policia duhet të bëjë transparencë”.
Sipas gazetari Kasapi edhe deklarimet në polici të efektivëve janë kontradiktore, ndërkohë që policia ka qenë në vendngjarje përpara se të shkrepeshin armët.
“Janë marrë në pyetje 5 efektivë të patrullës së rendit të cilët kanë shkuar në vendngjarje pas lajmërimit nga Arjan Hoxha. Deklarimet janë kontradiktore dhe vetë efektivët thonë nuk kemi parë gjë. Në ngjarje të tilla kur policia shkon në vendngjarje, ngjarja është e zbardhur. Aq më tepër që policia ka qenë aty para se të shkrepeshin armët. Në prani të prokurorit vetëm një prej efektivëve ka thënë që ka pasur edhe pala tjetër armë dhe shumica ka thënë që nuk kemi parë gjë”. (A2 Televizion)