Zgjedhjet e 25 prillit, kryeprokurori Çela apel drejtuesve të prokurorive: Vlerësoni në kohë çdo kallëzim

Nga A2 CNN
22 Prill 2021, 13:30 | Aktualitet
Zgjedhjet e 25 prillit, kryeprokurori Çela apel drejtuesve të

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i është drejtuar sot përmes një mesazhi drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të angazhohen drejtpërdrejtë përgjatë procesit zgjedhor të 25 prillit.  

Kryeprokurori kërkoi nga prokurorët që të hetojnë në kohë çdo kallëzim apo të dhënë për kryerjen e veprave penale që cenojnë procesin e zgjedhor.

“Nga ana e drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore që do të angazhohen drejtpërdrejtë përgjatë procesit, duhet të tregohet profesionalizëm dhe angazhim maksimal në përmbushjen e detyrave të tyre. Është thelbësore të vlerësohet me seriozitet dhe në kohë çdo kallëzim apo e dhënë për kryerjen e veprave penale që cenojnë procesin zgjedhor, përmes hetimeve të shpejta dhe të plota, të bashkëpunohet ngushtësisht me të gjitha agjencitë ligjzbatuese, si dhe të koordinohen veprimet hetimore me Prokurorinë e Posaçme kur do të rezultojë e nevojshme për shkak të kompetencës lëndore.

Nga ana juaj, pritet që të vini menjëherë përpara përgjegjësisë penale këdo që përmes veprimeve apo mosveprimeve të kundërligjshme nga ato që parashikohen nga Kodi Penal do të tentojë apo do të vendosë në rrezik integritetin e procesit zgjedhor. Çdo zvarritje apo mungesë veprimi në hetime është e dëmshme dhe nuk do të tolerohet”, u shpreh kryeprokurori. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos