
Vitin e ardhshëm shkollor 2022–2023 do t’u shtohen ekipeve të shkollave edhe 235 punonjës të rinj psiko-socialë dhe 250 mësues ndihmës. Lajmin e ka dhënë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, nëpërmjet një videoje në rrjete sociale, ku njoftoi dy vendimet më të fundit të dikasterit që drejton.
“Vendimi i parë ka të bëjë me rritjen e mëtejshme të numrit të punonjësve psiko-socialë. Vitin e kaluar ne e dyfishuam këtë numër dhe sot kemi 634 punonjës psiko-socialë në shkollat e gjithë Shqipërisë. Por nisur nga rëndësia dhe nevojat që kanë nxënësit dhe mësuesit tanë për këtë shërbim, sot kemi vendosur ta rrisim edhe më tej numrin e tyre me 235 punonjës të rinj.
Në këtë mënyrë, ne do të kemi më shumë punonjës të dedikuar për këtë shërbim në shkollat tona, duke rritur cilësinë dhe duke u përafruar më shumë me standardet bashkëkohore për numrin e nxënësve që duhet të mbulojë me shërbim një punonjës psiko-social.
Ndërkohë, nëpërmjet këtij vendimi ne rrisim cilësinë e shërbimit jo vetëm në shkollat e qyteteve, por edhe në shkollat më të largëta, ku deri me sot ka qenë më e vështirë vendosja e një punonjësi psiko-social për çdo shkollë.
Vendimi i dytë ka të bëjë me rritjen e numrit të mësuesve ndihmës me 250 mësues në të gjithë Shqipërinë, çka nënkupton që vitin e ardhshëm do të kemi mbi 1700 mësues ndihmës, duke iu afruar kështu më shumë standardeve të BE-së, me 1 mësues për 2 nxënës me aftësi ndryshe”, tha Kushi.
Sipas ministres, këto vendime jo vetëm që do të shërbejnë më tej për rritjen e cilësisë në sistemin arsimor, por do të garantojnë edhe më shumë gjithëpërfshirje, mbrojtje dhe siguri për nxënësit në mjediset arsimore. (A2 Televizion)