Kushtet për Brexit, Johnson i dërgon letër Bashkimit Europian: Mekanizmi kufitar, anti-demokratik

Nga A2 CNN
20 Gusht 2019, 14:17 | Bota
Kushtet për Brexit, Johnson i dërgon letër Bashkimit Europian:

Mekanizmi frenues në kufirin irlandez duhet të hiqet nga ujdia aktuale për Brexit pasi është i papërdorshëm dhe anti-demokratik. Kështu shkruan Kryeministri britanik, Boris Johnson, në një letër dërguar Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk. Shefi i Qeverisë së Londrës thekson se “backstop”, që synon të shmangë vendosjen e një kufiri të ashpër, rrezikon të minojë procesin e paqes në Irlandë. Nëse kjo pikë do të hiqej nga marrëveshja për Brexit, Johnson pretendon se Parlamenti do ta miratonte atë.

“Koha po përfundon. Por Mbretëria e Bashkuar është gati të lëvizë shpejt, dhe duke marrë parasysh terrenin e përbashkët të vendosur tashmë, shpresoj që edhe Bashkimi Europian të jetë gati për të vepruar shpejt”, shkruan Johnson.

Në letër, Johnson thekson se mekanizmi frenues kufitar shkel sovranitetin e Britanisë. Kryeministri propozon gjetjen e një zgjidhjeje fleksibël dhe kreative për të shuar mosmarrëveshjet që ka shkaktuar kjo pikë.

Komisioni Europian reagoi duke thënë se letra e Johnson-it nuk ofronte asnjë zgjidhje ligjore. “E mirëpresim angazhimin e Qeverisë britanike për një tërheqje të rregullt, pasi besojmë fort se është në interesin më të mirë të Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar”, tha zëdhënësja e Komisionit Natasha Bertaud. “Megjithatë, vëmë re se letra nuk jep asnjë zgjidhje praktike për të ndaluar rikthimin e kufirit në ishullin e Irlandës. Nuk jep asnjë alternativë dhe as nuk garanton që këto alternative do të vihen në zbatim deri në fund të periudhës tranzitore”.

Bashkimi Europian ka theksuar vazhdimisht se mekanizmi frenues duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për Brexit dhe se kjo ujdi nuk do të ndryshohet. Në krah të Brukselit qëndron dhe Irlanda e Veriut, që mbështet plotësisht paktin e arritur nga ish-Kryeministrja Theresa May. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos