
Deputetët vijuan punën aty ku e lanë vitin e shkuar. Konflikti politik është një fenomen i pashmangshëm brenda sallës së parlamentit edhe në seancat protokollare, pavarësisht apelit të bërë në nisje të sesionit nga Lindita Nikolla për gjuhë më të përmbajtur.
“Liria e fjalës është e do të mbetet thelbi i demokracisë. Që kjo liri të mos cenohet kurrë, fjala duhet të udhëtojë gjithmonë krah përgjegjësisë, akuza krah faktit”, u shpreh Nikolla.
Solemniteti i seancës së parë parlamentare përfundoi më shpejt nga sa pritej kur Sali Berishës iu ndërpre fjala nën argumentin se kishte mbaruar minutazhi. Sipas kryedemokrati, maxhoranca nuk i lejon opozitës ushtrimin e kontrollit parlamentar duke mos ia kursyer akuzat.
Fikja e mikrofonit nuk ishte problem për kryedemokratin i cili vijoi fjalimin në rrjetet sociale. Gjendur përball kësaj situate, socialistët kërkuan përfundimin e seancës.
Udhëzimet e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së u ndoqën nga Lindita Nikolla e cila mbylli seancën plenare. Mbyllja e dyerve të Kuvendi bëri që Berisha ta vijonte qëndrimin e tij te kamerat jashtë oborrit të parlamentit duke paralajmëruar një sezon të tensionuar politik. (A2 Televizion)