
Problematikat e tranzicionit shqiptar i kanë rrënjët në specifikat e historisë së vendit, veçanërisht në specifikat e diktaturës komuniste.
Sipas politologut Afrim Krasniqi, ndërkohë edhe kreu i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave “procesi i ndryshimit në Shqipëri nuk ka ndodhur si revolucion por si zhvendosje, ku është larguar niveli i lartë i Byrosë Politike dhe ka ardhur niveli i mesëm, edhe për shkaqe specifike, sepse mungonin disidentët që u pushkatuan që në fillim, por edhe lëvizjet liberale dhe institucionet fetare”.
Sipas tij, “jemi i vetmi vend ku të gjitha partitë janë krijuar praktikisht nga elitat e emëruara, dhe asnjë i përndjekur politik ka formuar dot parti politike”.
I intervistuar nga Merita Haklaj për A2 CNN, ai bën një krahasim. “Republikat Baltike janë modeli i transformimit demokratik me sukses. I pyetem si e kanë arritur këtë, dhe na u përgjigjen se në momentin që u ndanë nga Bashkimi Sovjetik, e gjithë nomenklatura u largua me tren dhe avion nga ato vende, dhe ngelën ato, kurse në rastin shqiptar, Diktatura ishte e jona, Gjykata ishte e jona, Sigurimi ishte i joni, dhe brenda një shoqërie ku diktatura është 50% dhe viktimat 50% tjetër, është shumë e vështirë të krijosh një sistem të ri dhe të bësh ndarjen me të kaluarën.
Sipas Krasniqit, “elitat e reja në tranzicion ishin vazhdimi i atyre të vjetër, dhe nuk kërkuan të bëjnë një “katarsis”, duke pranuar realitetin e ri”. (A2 Televizion)