
Në 30 vite nga krijimi i saj Partia Demokratike nuk përfaqëson asnjë nga elementët me të cilët u formua. Kështu u shpreh në intervistën me Merita Haklajn analisti Afrim Krasniqi, sipas të cilit ngjarjet e fundit në selinë blu tregojnë që shqetësohen më shumë për veten e interesat e tyre, sesa për partinë dhe Shqipërinë.
“Në 30 vite më parë në PD njerëzit ishin idealistë , intelektualë, ishin pro perëndimorë pa kushte dhe deri diku të ndërgjegjshëm që duhet të marrë fund koncepti i kontrollit të byrosë politike. Ishin për ndarje horizontale të pushtetit. Sot PD nuk përmbush asnjë nga këto 4 elementë dhe debati i fundit nxori në pah këtë gjë. Kemi parë një fjalor që e quajmë gjuha e rrugës. Ishte një zhgënjim në aspektin e vlerave. Nuk kemi qasje pro perëndimore. Duhet të respektosh parimet perëndimore si vota e lirë e mendimi dhe asnjë nga dy grupet nuk e ka treguar këtë gjë. Edhe për qasjen ndaj vendit shqetësohen për veten, sesa për nevojat e vendit, publikut dhe PD”.
Edhe dy Kuvendet e thirrura nga Berisha dhe Basha, Krasniqi i sheh si kuvende të secilit që do të bëjë partinë e vet demokratike.
“Këto dy kuvende nuk i shikon si kuvende të PD, por që secili bën partinë e vet demokratike dhe kjo nuk është PD. Debati për qëndrimin SHBA është qasje strategjike pa kushte. Kur SHBA merr një vendim ne jemi të detyruar ta respektojmë se nuk kemi mundësi për ta kundërshtuar”.
Sipas Krasniqit zhvillimet në PD do të shkundin edhe PS më vonë, në atë që ai e konsideroi se askush nuk është i përjetshëm.
“Zhvillimi i muajve të fundit ishte si një shkundje në PD që do të japë edhe efektet në PS më vonë. I bëri mirë se i la njerëzit të kuptojnë se edhe ata që fshihen lidershipit virtual qenkan të cenueshëm të akuzueshëm dhe krijon idenë që askush nuk është mit i përjetshëm në këtë vend. Në aspektin afatgjatë Shqipëria ka nëvojë të ketë opozitë të fortë po jo një opozitë të shantazhueshme të korruptuar dhe klanore. Si Basha si Berisha janë të shantazhueshëm”.
I pyetur nëse ka elementë PD për ta ringritur atë, Krasniqi thotë se ka njerëz të besueshëm në të dy kampet si të Berishës dhe të Bashës, ndërsa kritika ka për grupin parlamentar demokrat.
“Po kam bindjen që ka dhe te përkrahësit e palëve ka njerëz të arsyeshëm, si te zoti Basha, te nënkryetarët etj. Ka njerëz të besueshëm, por ajo që po shohim është humbej sensi e mase. Grupi i PD e që duhet të ishte solid e humbi këtë shans se nuk po prodhojnë ide politike po e kanë mendjen a do të jenë në listë pas 4 vitesh. Le të zgjedhë secili kongresin e vet e të zgjedhë kryetarët e vet pavarësisht se do të numërojnë “bagëtitë” e njëri tjetrit militantët”.
Se çfarë do të ndodhë pas Kuvendit të Berishës dhe Bashës, Krasniqi shprehet: Negociata do të nisin pas 18 dhjetorit. Ka disa zgjidhje një zgjidhje afatgjatë si fazë tranzicioni, kalohet drejt një hapje deri te formatimi me një program e strukturë, por varianti më i keq është nëse palët nuk ndryshojnë pozicionet. Pas 11 dhjetorit Berisha është përfaqësues i atyre që ka mbledhur edhe Basha po ashtu dhe nëse palët shohin veten në pasqyrë dhe mendojnë që kanë një vizion për Shqipërinë. Shqipëria është nga vendet e pakta ku individët në opozitë pasurohen edhe kur janë në opozitë. Qenia në opozitë është minierë ari për privilegje të caktuara”.
Për Krasniqin të dy palët dëmtuan marrëdhëniet me SHBA si Berisha dhe Basha. (A2 Televizion)