
Në Intervistën me Merita Haklajn, Afrim Krasniqi tha se problemi më i madh i shoqërisë shqiptare është dështimi i institucioneve të besimit. Duke e krahasuar elitën e sotme me atë të Pavarësisë, Krasniqi theksoi se "kemi fyer figurën e atyre që merren me letra e botime dhe vlerësojmë më shumë atë që siguron lidhjen mes pushtetit dhe individit".
“Kush e krijoi pavarësinë? E krijoi elita fisnike e pasur, fetare dhe intelektuale e Shqipërisë. Ku janë sot këto 3 kategori? Ne kemi krijuar një shtresë të pasur që nuk kanë lidhje me fisnikërinë, as me përgjegjësinë publike dhe aq më tepër atdhetarinë. Kemi dobësuar institucionet e besimit. Kemi krijuar më shumë ndjekës për partitë politike. Kemi fyer e denigruar ata që merren me letrat e botimin e librave. E konsiderojnë si vend internimi atë që merret me librin dhe jo si nder që merret me dijen e librin. Kjo është shoqëria shqiptare. Është më i rëndësishëm polici i lagjes, doganieri, i forti i lagjes, klientelisti i lagjes që siguron lidhjen mes pushtetit dhe individit, ai që ndan tenderat publikë e të punës. Ky është problemi më i madh”.
Por për Krasniqin në këtë fajtorë janë edhe ndërkombëtarët. “Nuk kemi dështuar vetëm ne ka dështuar edhe projekti ndërkombëtar për Shqipërinë. Kërkon stabilitet mos ketë kthim pas dhe progres të qëndrueshëm”.
Sipas tij kryeministrat në Shqipëri janë të suksesshëm se menaxhojnë varfërinë. Por thekson që nëse qytetari i pavarur nga politika dhe vendi i punës atëherë do të vijë dita për demokraci.
“Në Tiranë ka zona që qarkullon ideja e liberalëve dhe janë më të pavarur nga ana ekonomike dhe pushtetet. Nëse qytetari bëhet i pavarur nga politika, nga vendi i punës, nga kontrolli financiar, apo gjoba e policit, atëherë do të vijë dita për demokraci e do të ngrenë zërin për të drejtat e tyre.. Kryeministrat në Shqipëri janë të suksesshëm se menaxhojnë varfërinë jo zhvillimin, kurse varfëria sjell njerëz të nënshtruar. Një palë mbijeton ekonomikisht dhe pjesa tjetër pret të vijë në pushtet e të mbijetojë dhe në këto kushte e ke të pamundur të prodhojmë demokraci të nivelit të lartë”. (A2 Televizion)