
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Mocioni i mosbesimi u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës që ishte pjesëtare e koalicionit qeverisë dhe u mbështet nga 44 deputetë. Votimit për të rrëzuar qeverinë e Kurtit iu bashkuan dhe partitë e opozitës.
Përçarja mes Albin Kurtit dhe liderit të LDK, Isa Mustafa nisi pas vendimit të kryeministrit për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu i cili kritikoi reagimin e qeverisë për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi.
Çështje tjetër që thelloi përçarjen e koalicionit qeverisës ishte dhe ajo e heqjes së taksës 100% të Kosovës ndaj produkteve serbe, të cilën e kishin kërkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Albin Kurti hoqi pjesërisht taksën për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnja, por kjo lëvizje u konsiderua e pamjaftueshme nga diplomatët amerikanë në Prishtinë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri Kurti deklaroi se ky mocion mosbesimi nuk ka të bëjë as me ministrin e shkarkuar dhe as me tërheqjen e trupave amerikane, por me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk mund të realizohet nëse ai është kryeministër.
“Nuk më dhimbset kjo qeveri dhe vetja, por qytetarët. Ky mocion synon ta lerë popullin pa qeverinë që ai ka votuar. Ky mocion synon ta lerë pa qeveri në mes të përhapjes së koronavirusit, në javën më të rëndësishme. Ne po japim shembull si menaxhohet situata nga koronavirusi. Populli e di që nuk kam mbështetjen e opozitës dhe disa deputetë të LDK, por kam mbështetjen e tij. Motori i këtij nxitimi nuk ka të bëjë me ministrin, por me një marrëveshje të gatshme për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi. Ky pazar presidencial me mua kryeministër nuk bëhet. Me mua kryeministër nuk ka marrëveshje për shkëmbimin e territorit as në Shtëpinë e Bardhë dhe atë të Gjelbër. Marrëveshjen e gatshme ma konfirmoi dhe presidenti kur e takova. Thaçi më përsëriti 3 herë heqim taksën, shkojmë në Uashington dhe heqim Serbinë njëherë e mirë qafe. Këto janë pazare të rrezikshme”, deklaroi Albin Kurti. (A2 Televizion)