
Rrëzohet qeveria e Malit të Zi pas 14 muajve në pushtet. Parlamenti votoi mocionin e mosbesimit me 43 vota pro dhe 11 kundër, duke i dhënë fund mandatit të kryeministrit Zdravko Krivokapiç.
Shkarkimin e qeverisë e mbështetën të gjitha partitë opozitare, me në krye Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviç dhe partitë e koalicionit në pushtet, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis. Pavarësisht këtij zhvillimi, qeveria e udhëhequr nga Krivokapiç do të vazhdojë punën deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri. Tashmë do të nisin negociatat mes partive me synimin për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Koalicioni “Bardh e Zi” kërkon që me largimin e Krivokapiç, kryeministër i ri i Malit të Zi të jetë, Dritan Abazoviç.
“Tensionet politike duhet të mbesin në Kuvend, pa u derdhur te qytetarët. Rënia e qeverisë ka ndodhur dhe nuk është apokalips, sepse do të zgjidhet një e re, do të bisedohet me të gjithë, por së pari me përfaqësuesit e shumicës parlamentare”, tha Miloš Konatar, Lëvizja Qytetare Ura.
Qeveria e Krivokapiç, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh më 4 dhjetor të 2020-ës, me ndihmën e votave të Frontit Demokratik pro-serb, të Demokratëve dhe të Lëvizjes Qytetare URA. Këto forca politike mposhtën Partinë Demokratike të Socialistëve në zgjedhjet e gushtit të dy viteve më parë.
Megjithatë, koalicioni ka qenë tepër i brishtë me përplasje dhe grindje mes partnerëve, atyre pro-serbë me ata pro-europianë, gjë e cila solli dhe përçarjen finale që përfundoi me shkarkimin e qeverisë.
Ndërkohë, partia e Krivokapiç tentoi që në vendoste për votim dhe shkurtimin e mandatit të këtij parlamenti për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, por kërkesa nuk u miratua në rend dite nga deputetët në sallë. (A2 Televizion)