
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Zyrtari i lartë europian i cili mbërriti në Prishtinë, pasditen e së hënës, e tha këtë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Osmanin.
“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejt duan të procedojnë”, deklaroi Lajçak.
Ai tha se pret që klasa politike në Kosovë të jetë e bashkuar në këtë drejtim dhe ta kuptojë rëndësinë e dialogut me Serbinë.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se institucionet e reja do të angazhohen në dialog, por me një qasje të re, e cila sipas saj, synim kryesor do të ketë trajtimin e barabartë në dialog dhe njohjen e ndërsjellë si akt final.
“Qasja e re nënkupton që ne assesi nuk mund ta pranojmë që çështja e kufijve, sovraniteti, rregullimi i kushtetues të Kosovës të bëhen pjesë e negociatave sepse ato negociata kanë përfunduar në vitin 2008, nën mandatin e Ahtisarit”, vijoi Osmani.
Mirosllav Lajçak mbërriti të hënën në Kosovë, ku takimin e parë e zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë. Pas takimit të së hënës me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Kurti theksoi se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por shtoi se ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë. (A2 Televizion)