
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të mos e shpërdorojnë mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve. Në një sinjal të urgjencës së Brukselit për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit, Lajçak zhvilloi një vizitë të palajmëruar në kryeqytetin e Kosovës, ku u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimi.
Zyrtari i lartë i BE tha se momentalisht ekziston një kalendar politik unik para zgjedhjeve të SHBA dhe BE, që duhej shfrytëzuar për arritjen e një marrëveshje. “Nuk do të thosha që viti tjetër është vendimtar, por e kam thënë më shumë se një herë se e kemi këtë dritare mundësie që do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe amerikane më 2024. Mendoj që është përgjegjësia jonë që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi”, tha ai.
Lajçak tha se kishte biseduar me kryeministrin Kurti për rrugën drejt normalizimit, çështjen e targave dhe energjinë. Duke përmendur afatin për riregjistrimin e targave që skadon më 31 tetor, përfaqësuesi i posaçëm i BE tha se është e rëndësishme të dihet se cilat janë planet dhe të shmangin një përshkallëzim të mundshëm të situatës. “Pika numër një ishte rruga përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe vijimi i diskutimit që nisëm së fundmi, dhe që vazhdoi edhe me ndërhyrjen e presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe telefonatës së sekretarit Blinken. Biseduam për hapat mëtejshëm. Pika e dytë në agjendë ishin çështjen aktuale, përfshirë ajo e energjisë dhe e targave. Siç e dini, afati për targat është më 31 tetor dhe është shumë e rëndësishme të dimë se cilat janë planet dhe të shmangim përshkallëzim të situatës”.
Lajçak tha se do të vizitojë të hënën Beogradin për të diskutuar mbi çështjet që i quajti të hapura, e që kërkojnë zgjidhje. Sakaq, nga zyra e kryeministrit Kurti njoftuan se u diskutua për përgatitjet e takimit të radhës në Bruksel. Zëvendëskryeministri Bislimi tha më herët se Kurti dhe Vuçiç mund të takohen në tetor, por nuk dha një datë të saktë. (A2 Televizion)