Lajmi i mirë, stafi i spitalit të Lezhës nuk është i prekur nga koronavirusi

Nga A2 CNN
27 Mars 2020, 14:09 | Aktualitet
Lajmi i mirë, stafi i spitalit të Lezhës nuk është i

Spitali i Lezhës mund të rikthehet në normalitet pasi i gjithë personeli i spitalit nuk është i prekur nga virusi i ri, pas publikimit të rezultateve të testeve që ata kryen.

Shoqata e Infermierëve Lezhë ka njoftuar pak minuta më parë se rezultati i testit për personelin e Spitalit Lezhë është negativ për COVID-19. Lajmin e mirë e ka bërë të ditur z.Ledion Prendi në faqen zyrtare të Shoqatës.

“Lajm i mirë për të gjithë personelin e spitalit Lezhë, që rezultoi negativ në testin e bërë për Covid-19. Zoti ju ruajt dhe mirënjohje pafund për punën tuaj humane dhe me vlera jetësore. Kam ndjerë këto dy ditë çdo shqetësim tuajin në mesazhet që më keni bërë, e s’mundem dot pa gëzuar për secilin prej jush si të isha dhe unë në mesin tuaj”, shkruan Prendi

Nga 4 raste infeksioni të regjistruara në këtë qark, 3 janë në radhët e bluzave të bardha. Përkatësisht 2 infermiere dhe një sanitare të spitalit të Lezhës. I katërti është një qytetare me histori udhëtimi në Itali, por që ua kishte mbajtur të fshehtë mjekëve.

Lajmi tjetër i mirë për Lezhën është dhe fakti se prej dy ditësh nuk ka pasur asnjë rast të ri infeksioni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos